Ndërkombëtarizimi i sportit

Politika programore e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar paraqet programin më të rëndësishëm në plan-programet e hartuara të departamentit të sportit.

Duke pas parasysh faktin se sporti i Kosovës ka qenë i mbyllur dekadat e fundit, rezultojnë shumë evidente pasojat në drejtim të avansimit të kualitetit të sportit dhe prezentimit të vlerave sportive e kombëtare jashtë vendit.

Që nga viti 2001, vazhdon t’u jipet një përkrahje më e madhe aktiviteteve sportive ndërkombëtare, ndërsa që këtë vit kjo përkrahje fiton akoma në rëndësi duke konsideruar faktin se tanimë po rriten mundësitë për prezentim jashtë.

Qëllimi / Objektivi


Kjo politikë programore rregullon mënyrën e financimit të aktiviteteve sportive ndërkombëtare, kategoritë e aktivitetetve sportive ndërkombëtare që do të financohen, prioritetet e garave dhe aktiviteteve tjera ndërkombëtare, mënyrën e paraqitjes së kërkesës / aplikimit për përkrahje materiale, personat zyrtar që udhëtojnë me sportistë, forma e transportit, kategorizimi i akomodimit dhe shpenzimet që do të mund të mbulojë departamenti i sportit.

Prioritetet për financim të garave dhe aktiviteteve tjera ndërkombëtare

Garat ndërkombëtare:


  • Lojërat Olimpike;
  • Kampionatet Botërore, Evropiane, Ballkanike dhe Mesdhetare;
  • Kupat Botërore, Evropiane, Ballkanike dhe Mesdhetare;
  • Turnetë ndërkombëtare të kategorive të ndryshme;
  • Turnetë bilaterale ndërkombëtare;
  • Turnetë mbarëkombëtare të karakterit tradicional.


Seminaret ndërkombëtare:

  • Seminaret për trajner;
  • Seminaret për gjyqtar sportiv;
  • Seminaret për garues / lojtarë;
  • Seminaret për menagjues dhe administrator të sportit;
  • Seminare të tjera.


Kontaktet / shkëmbimet ndërkombëtare:

  • Pjesëmarrja në punime të asambleve sportive ndërkombëtare;
  • Pjesëmarrja në garat ndërkombëtare;
  • Kontaktet me personalitete të larta sportive me qëllim ndërkombëtarizimin e sportit;
  • Shkëmbimi i kuadrove dhe ekspertëve përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit.


Mënyra e paraqitjes së kërkesës për mjete financiare
Kërkesës për mbështetje financiare duhet t’i bashkangjitet ftesa për pjesëmarrje në aktivitete/ gara ndërkombëtare. Kërkesa duhet të dorëzohet për shqyrtim në departamentin e sportit së paku 20 ditë para nisjes dhe duhet të përmbajë këto të dhëna:

  • Shënimet personale dhe nënshkrimi i paraqitësit të kërkesës zyrtare (emri, mbiemri, funksioni, nënshkrimi dhe vula zyrtare);
  • Shënimet për organizatorin, vendin, kohëzgjatjen dhe karakterin e garës;
  • Numrin e sportistëve pjesëmarrës, me të gjitha shënimet personale;
  • Numrin e personave zyrtarë, me të gjitha shënimet personale;
  • Formën e transportit dhe çmimin;
  • Paraqitja për pjesëmarrje në gara dhe çmimi për gara individuale dhe ekipore;
  • Akomodimi (vendosja dhe ushqimi – kategoria e hotelit), çmimi;
  • Shpenzimet tjera (taksa për nxjerrjen e vizave, uniforma për reprezentuesit, ushqimi gjatë rrugës, flamujt dhe shenjat tjera të sportit përkatës);
  • Shuma e përgjithshme e projektit – Totali.