Bashkëpunimi kulturor rajonal është një nga çelësat kryesorë për një Kosovë dhe regjion stabil dhe të integruar në BE

06.09.2018

Zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva ma marrë pjesë në kampin “Euro Atlantic Summer School - REACT 2018” të organizuar në Guci të Malit të Zi.

Zëvendësministrja ka qenë pjesë e panelit ku është folur për bashkëpunim kulturor rajonal. Ajo konkretisht ka ligjëruar për “Bashkëpunimin e ndërsjellë kulturor për një Kosovë stabile”.


Ja fjalimi i plotë i zëvendësministres:

Të nderuar të pranishëm,

Sot për mua është nder dhe një kënaqësi e veçantë të jem pjese e edicionin e 11-të të Euro Atlantic Summer School - REACT 2018, si një vend ideal për të ngritur vlerat e diversitetit kulturor dhe të dialogut dhe bashkëpunimit mes kulturave të ndryshme.

Fillimisht më lejoni të falenderoj organizatorët e këtij kampi, Alfa Center si dhe të gjithë partneret e tjerë që mundësuan organizimin e kësaj ngjarje, sepse promovimi i dialogut dhe bashkëpunimi në mes të kulturave, janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimet e së ardhmes si dhe për të ndërtuar urat e tolerancës dhe bashkëjetesës.

Ne mund të shikojmë prapa dhe të kujtojmë ditë të mira të zhvillimit të artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit të censurës dhe regjimit të viteve 80-ta, artistë dhe personalitete të ndryshme mundoheshin të mbanin hapin e zhvillimit në bote. Me kontributin, energjinë dhe motivin e tyre ata arrinin të ishin pjesë e debatit kulturor në bote. Hovi i zhvillimit të artit vazhdojë edhe gjatë viteve 90-ta. Me gjuhën e artit dhe kulturës u shpreh zemërimi i asaj kohe dhe shpresa për të ardhmen.

Por sot duke qenë Shtet i Pavarur, qytetarët tanë mund të kthejnë sytë nga optimizmi dhe nga e ardhmja.

Bashkëpunimi reciprok kulturor ndërmjet vendeve të rajonit dhe më gjerë është një nga çelësat kryesorë për një Kosovë stabile dhe për të hapur dyert e Evropës për Kosovën dhe për shtetet e tjera të rajonit.

Vëmendje e posaçme është vënë në politikat shtetërore të Republikës së Kosovës për kulturën dhe artin, duke filluar nga dyfishimi i fondeve për kulturën e artin e deri te përkrahja për pavarësimin dhe qëndrueshmërinë e artit dhe kulturës por edhe mbrojtjen me ligj të punës së artistëve dhe të profesionistëve të kulturës.

Kultura sot trajtohet nga politika si një nga kushtet kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Kosova është kthyer në një prodhues kualitativ por edhe në një konsumues të pasionuar e të etur të artit e të kulturës duke sjellë kështu prezantime e bashkëpunime të rëndësishme të artistëve të vendit me kolegët e tyre nga rajoni e më gjerë.

Në mesin e shumë bashkëpunimeve në mes të artistëve dhe personaliteteve të kulturës nga Kosova me homologët e tyre nga rajoni e më gjerë vlen të përmenden:

Pjesëmarrjen e Kosovës në edicionin e 16-të Bienalesë së Arkitekturës në Venedik 2018;

Pjesëmarrja e Kosovës në pavijonin e përbashkët me Shqipërinë në edicionin e 71-të të Festivalit të Filmit në Kanë;

Prezenca e Qendrës Kinematografike të Kosovës në tregun e filmit- European Film Market, në festivalin prestigjioz Berlinale;

Pjesëmarrja e QKK-së në tregun e filmit “Japan Content Shoëcase - TIFFCOM 2017”, aleat i festivalit të madh “Tokyo International Film Festival”;

Pjesëmarrja e Kosovës në Panairet Ndërkombëtare të Librit në Paris, Frankfurt, Tiranë sikurse dhe realizmin e aktiviteteve të parapara në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për vitin kalendarik 2017 dhe 2018.

Jemi në përgaditje të marrëveshjes për krijimin e kalendarit të përbashkët kulturor edhe me Republikën e Maqedonisë, dhe shpresojmë që një kalendar të përbashkët kulturor të kemi edhe me Malin e Zi.

Një e arritur e vecantë në sektorin kulturor dhe atë kreativ është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në kuadër të programit evropian “Evropa Kreative” sikurse dhe funksionalizim i Deskut Evropa Kreative Kosovë. Pjesëmarrja në kuadër të këtij programi do të ofrojë mundësi të reja për të mbështetur sektorët kulturorë dhe krijues në Kosovë. Ajo gjithashtu do të ndihmojë në ndërtimin e urave dhe krijimin e hapësirës për kontaktet me njerëzit, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkë-krijimin.

Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes mekanizmave institucional e ligjor po vazhdojmë me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të arteve skenike-muzikore e pamore në Kosovë, dhe me aftësi konkurruese në arenën ndërkombëtare, duke e promovuar identitetin kulturor të Kosovës brenda identitetit kulturor evropian.

Ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në aspektin kulturor dhe artistik vlerësojmë të ketë patur realizimi i programeve vjetore të institucioneve te ndryeshme publike, te cilat kanë prezantuar në mënyrë të denjë identitetin kulturor të Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë këtij viti, me pjesëmarrjen e tyre në festivalet ndërkombëtare të teatrit, baletit, filmit, artit vizual, muzikës, promovimit kulturor dhe librit.

Gjithashtu në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e politikave të reja kulturore, është në program përkrahja e artistëve të rinjë dhe nismave të reja kulturore. Gjatë periudhës katërvjeçare 2017-2021 do të ndërtohet një qasje e re dhe bashkëkohore e politikës kulturore dhe planeve të veprimit, dhe metoda efikase të zbatimit të legjislacionit për të përkrahur sektorin e kulturës, duke përfshirë programet për avancimin e lidhjeve kulturore dhe shkëmbimeve ndërkulturore të artistëve, shoqatave kulturore dhe institucioneve të kulturës. Gjithashtu, do të ketë rritje të mbështetjes për artistët e rinj në nisma që e prezantojnë Kosovën në shtetet e regjionit dhe BE-së.

Promovimi i dialogut mes kulturave, promovimi i tolerancës dhe bashkëpunimit në mes kulturave, janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin në politikë si dhe për të ndërtuar urat e tolerancës dhe bashkëjetesës.

Këto bashkëpunime janë testament i rivendosjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit mes artit dhe kulturës në Kosovë dhe në Evropë. Ky rrugëtim vetëm sa ka filluar dhe do të bëhet edhe më intensiv dhe më përmbajtjesor.

Normalisht, ky rrugëtim nuk është pa sfida, sfida që sikur edhe në të kaluarën më së shumti rrjedhin nga politika. Kosova, ndonëse shtet që 10 vite, ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e regjionit dhe Evropës.

Si pasojë të rinjtë e Kosovës shpesh nuk kanë mundësi të marrin pjesë në aktiivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për faktin që Kosova është i vetmi vend në Evropë qe nuk gëzon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kjo e pengon komunikimin mes Kosovës dhe shteteve dhe popujve të Evropës.

Por, edhe këtu, deri sa politikanët kosovarë kërkojnë rrugë e mënyra për të arritur deri te homologët e tyre nga e vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, artistët dhe personalitetet e kulturës kanë arritur që jo vetëm të vejnë ura komunikimi por edhe të përçojnë mesazhin se Kosova është dhe dëshiron të mbetet vend ku diversiteti kulturor konsiderohet si pasuri dhe thelb i identitetit dhe qenies.

Andaj ne politikanëve dhe politikës nuk na mbetet tjetër vetëm që të mbështesin dhe përkrahin aktivitete të tilla të cilat krijojnë ura të tilla komunikimi.

Shpresojmë që një kamp i tillë rinor të organizohet edhe në Kosovë dhe ne si MKRS dhe Qeveri e Republikës së Kosovës zotohemi që do të jemi partnerë në këtë aktivitet.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO