Ministri Gashi: Rinia, pjesa më vitale e shoqërisë sonë

30.05.2018

Sot u organizua ceremonia e nënshkrimit të kontratës mes MKRS-së dhe 119 organizatave të Shoqërisë Civile, organizatave rinore, përfituese në sektorin e rinisë, nga shpalljet e fundit publike në tematikat: kulturë, sport, rekreacion; siguri njerëzore; edukim shëndetësor; fuqizim dhe pjesëmarrje të të rinjve, parandalim të ekstremizmit.

Në ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili u shpreh i gëzuar që po nënshkruhen kontratat mes MKRS-së dhe organizatave për projektet që ministria përkrah përmes thirrjeve publike.

“Ne do ta ndjekim një praktikë të re e cila ka për qëllim që të gjitha projektet të cilat përfitojnë organizatat rinore por edhe të rinjtë në përgjithësi në Republikën e Kosovës t’i prezantojmë në mënyrë ceremoniale edhe për të qenë transparent para publikut por edhe për ta arsyetuar çdo cent MKRS-ja i ndan për organizatat rinore”, tha ministri Gashi.

Ministri porositi të rinjtë përfitues që projektet të cilat i kanë fituar t’i zbatojnë sipas kritereve të parapara dhe kërkoi nga ta që gjatë implementimit të projekteve të arrihet ndikim konkret.

Ministri tha se jemi duke punuar përbrenda MKRS-së që ta ristrukturojmë Departamentin e Rinisë në mënyrën se si të bëhet shpërndarja e përkrahjes për të rinjtë.

“Kosova duhet ta fokusojë një program të ri që do t’i ndihmojë të rinjtë rreth përgatitjes së tyre për tregun e punës, për të përcaktuar profilin e secilit të ri në të ardhmen përmes këtyre projekteve rinore”, u shpreh mes tjerash ministri duke i njoftuar të rinjtë që MKRS-ja për herë të parë do të krijojë edhe një fond për të rinjtë në përkrahje të tyre si dhe për ndërtimin e kompleksit multifunksional rinor, i pari e tillë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajonin e Ballkanit.

Ministri Gashi i informoi të rinjtë se në kuadër të përkrahjes MKRS-ja ndan mjete financiare dhe mbështet projekte edhe për të rinjtë e komuniteteve pakicë.

Ministri në fund i porositi të rinjtë që të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe të zgjerojnë organizatat e tyre dhe rrjetet rinore sepse rinia është pjesa më vitale e shoqërisë tonë, ka vlerësuar ministri.

Prapa