Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Arkivave të Kosovës dhe Maqedonisë

14.05.2018

Më 14 maj 2018 në Prishtinë, në ambientet e ASHAK-së u nënshkrua ripërtrirja e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë. Ripërtrirjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit e nënshkruan Kryeshefi Ekzekutiv i ASHAK-së z. Ramë Manaj dhe Drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë z. Kiril Petrov.

Pasi që, ASHAK është nën ombrellën e MKRS-së, për të nderuar dhe përkrahur këtë eveniment përfaqësues nga MKRS ishte z. Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë, i cili me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit si dhe uroi të dy institucionet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit. 

Të dy udhëheqësit e institucioneve arkivore me këtë rast shprehën gatishmërinë se ky bashkëpunim do të jetë në nivelin më të lartë zyrtar me zotimin e të dyja palëve që do ti përkrahin, mbështesin, promovojnë dhe realizojnë aktivitetet e njëra tjetrës në fushën e arkivistikës.

Marrëveshja e Bashkëpunimit e nënshkruar nga palët potencon se  do të zhvillojnë bashkëpunimin në bazë të barazisë, interesit të përbashkët, në bazë të mundësive financiare dhe në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi në vendin përkatës, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara prej tyre.

Po ashtu, do të bëjnë hulumtime në baza reciproke, me qëllim plotësimin dhe kompletimin e fondeve dhe koleksioneve arkivore me kopjet e dokumenteve, me mundësinë e marrjes së kopjeve të urdhëruara vetëm me kërkesë me shkrim nga udhëheqësi i arkivit përkatës ose me autorizimin e tij, ndërsa shkëmbimin e kopjeve do të realizojnë me Protokoll, të nënshkruar nga të dyja palët, si dhe do t’i shkëmbejnë revistat e tyre arkivore dhe do të publikojnë artikuj ekspertësh dhe kontribute shkencore në fushën e punës arkivore.

Delegacioni nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë në përbërje të Kiril Petrov-drejtor, Muzafer Bislimi- Zëvendës drejtor dhe Svetlana Usprcova- Udhëheqëse për Bashkëpunim patën rastin të vizitojnë Depon e ASHAK-së dhe ambientet e punës si: laboratorin e digjitalizimit, sallën e leximit, bibliotekën etj. të cilët shprehën admirimin e tyre për punën që kryhet në këtë institucion.

 

Prapa