Baleti Kombëtar i Kosovës për herë të parë në Paris

27.04.2018

Në vizitën e tij të parë në Francë, Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK), për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë, ka performuar për 3 ditë në skenën mitike të teatrit Le Palace, javën e kaluar, duke ofruar “Recomposed”, balet bashkëkohor për 20 interpretues, me koreografi të francezëve Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-DESCOURS.

Nën tingujt e “4 Stinët” të Vivaldit, përpunuar nga kompozitori Max Richter, “Recomposed” mund të kuptohet si një metaforë e historisë aktuale të Kosovës. Rrëfim dinamik rreth një shtet të ri, i cili është “rikompozuar”, rindërtuar në këto 19 vitet e fundit, “Recomposed” sjell në skenë interpretues të rinj të cilët dy dekada më herët ishin refugjatë nëpër Evropë, në pritje të kthimit të paqes në atdheun e tyre.

“Recomposed” i referohet gjendjes aktuale të Kosovës, të ardhmes së saj, perceptimit të traditave, diçka që të gjithë kërcimtarët bashkëndajnë me kulturën kosovare.

Si një vepër politike, baleti portretizon dëshirat e shoqërisë kosovare në marshimin drejt lirive individuale universale, një proces kompleks por i pandalshëm.

Me skenografinë e saj minimaliste dhe lirizmin e libretit, “Recomposed” ofron portretin e një prej shteteve më të izoluar të Evropës, me kufij të mbyllur dhe ende nën regjimin e ashpër të vizave, i cili lufton çdo ditë për të shëruar plagët e veta.

Baleti Kombëtar i Kosovës u formua në vitin 1972. Drejtori aktual, Ahmet Brahimaj, është një nga anëtarët themelues të trupës. BKK është shumë aktiv dhe i pranishëm në skenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në festivale rajonale dhe ndërkombëtare. Përgjatë viteve, BKK ka bashkëpunuar me shumë koreografë dhe trupa ndërkombëtare.

Ardhja e trupës në Paris u mbështet nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve (MKRS) të Kosovës si dhe kompania e fluturimeve ajrore AltaVia Travel.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të “vitit të përbashkët mes dy ambasadave”, të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, dizajnuar me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit.

Shfaqja e Baletit Kombëtar të Kosovës ka nisur të cilësohet nga media franceze si një \"spektakël premtues, politik, i ndjeshëm...për t'u shënuar në çdo axhendë\"!

Prapa

KOSOVO IN UNESCO