Nënshkruhet marrëveshja në kuadër të angazhimit për fuqizimin e rinisë përmes edukimit jo-formal

19.04.2018

Sot në kabinetin e ministrit të  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me  organizatën joqeveritare “George Williams Associaton in Kosovo”. Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i angazhimeve të ndërsjella në mes të MKRS-së dhe OJQ George Williams Association in Kosovo në fuqizimin e rinisë në Kosovë dhe zbatimin e projektit “Qendra rekreative për fëmijë dhe të rinj”, me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, si dhe promovimin e edukimit jo formal si element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve në vendin tonë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë në mbështetje të të rinjve me qëllim të krijimit dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve rinore. Ai po ashtu theksoi se përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve po synohet që të promovohet edhe më tutje Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. “Zbatimi i këtij projekti ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve për fëmijët e të gjitha shkollave dhe të rinjtë e të rejat nga komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore” u shpreh ministri Gashi.

Ndërsa drejtoresha e organizatës “William Youth Association in Kosovo” , Dorina Davies, u shpreh e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje duke thënë se do të vazhdojn të punojnë intensivisht që nëpërmjet aktiviteteve dhe pjesëmarrjes në vizita studimore të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kosovare për udhëheqjen e qendrave të tilla.
 

Prapa