Gashi takoi drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës

12.09.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, të prirë nga presidenti Besim Hasani, bashkë me nënkryetarin e KOK-ut, Memli Krasniqi dhe sekretarin Shasivar Haxhiaj.

Ministri Gashi i njoftoi drejtuesit e KOK-ut se është duke ndërtuar një ekip me të cilin do të punojë përgjatë kohës sa do ta drejtojë MKRS-në dhe i premtoi atyre se, me ekipin e tij do të kenë një bashkëpunim të ngushtë me KOK-un.

Ministri u shpreh se do të vazhdohet me kryerjen e punëve që janë proces, dhe do t’i bashkërendojmë veprimet bashkë me KOK-un, në interes të sportit dhe ngritjes së cilësisë dhe rritjes së pjesëmarrjes.

Ministri Gashi, e ka vlerësuar punën e deritashme që ka bërë KOK-u dhe ka përgëzuar kryetarin Hasani për arritjet. Ai tha se përkrahja për sportin dhe veçmas për Komitetin Olimpik të Kosovës si kupola e organizimit sportiv në vend, do të vazhdojë edhe më tej, duke i siguruar drejtuesit e KOK-ut që sporti do të vazhdojë të mbetet ndër prioritetet kryesore.

Ministri Gashi u shpreh se jemi në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2018 dhe sporti dhe KOK-u do të kihen parasysh që kërkesat e tyre të përmbushen ashtu që objektivat dhe synimet në sport të arrihen me punë dhe angazhim të përbashkët.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka uruar ministrin Gashi për marrjen e detyrës së re duke i dëshiruar punë të mbarë dhe realizim të politikave të parapara.

Ai e informoi ministrin Gashi për mënyrën se si funksionon KOK-u, për punët dhe angazhimin e madh që e presin këtë institucion pasi Kosova ndodhet në ciklin olimpik për Tokio 2020.

Ndër tjera, Hasani e informoi ministrin edhe për federatat e sportit në Kosovë, ku janë të regjistruara 37 sish, ndër to, 32-33 federata aktive e 24 prej tyre në programin olimpik.

Po ashtu, Hasani u shpreh se në fokus do të mbeten sportistët, duke u krijuar kushte dhe ambientin e nevojshëm që ata të kryejnë aktivitetet e tyre dhe kjo vjen me një partneritet mes MKRS-së dhe KOK-ut.

Në takim u diskutua që ndër projektet që duhet të realizohen së shpejti, është edhe themelimi i Agjencisë së Kosovës për Anti Doping, që parashihet me Ligjin për Sport, dhe që MKRS-ja duhet ta iniciojë këtë institucion.

Prapa