Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”

24.07.2017

Në Bibliotekën Françeskane “At Gjergj Fishta”, në praninë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala dhe Ministrit Provincial të Françeskanëve në Shqipëri, pater Aurel Gjerkajt, është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”. Marrëveshja është nënshkruar nga Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe At. Vitor Demaj Drejtori i Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dy bibliotekat do të punojnë në shkëmbim e huazim të materialeve bibliotekare nga fusha e albanologjisë, posaçërisht të librit dhe të dorëshkrimeve. Marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin edhe në fushë të hulumtimit, të grumbullimit dhe të ruajtjes së kulturës shqiptare.

Sipas kësaj marrëveshjeje, gjithashtu, parashihet promovimi i veprimtarive të përbashkëta bibliografike, ekspozitave e botimeve.

Provinca Françeskane Shqiptare në këto vitet e fundit ka filluar projektin për nxjerrjen në dritë të të gjithë veprave të shkrimtarëve françeskanë gjatë rreth një shekulli, një kolanë veprash - botime dhe ribotime nga fusha e letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnografisë e folklorit shqiptar, duke përfshirë nga autori Át Gjergj Fishta e deri te Át Zef Pllumi.

Të gjitha këto vepra gati një gjysmë shekulli ishin anatemuar nga regjimi komunist.

Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të gjithë numrat e revistës së mirënjohur “Hylli i Dritës” nga viti 2006 deri në vitin 2017, si dhe numrat, nga viti 1999 deri më 2005, të revistës së përjavshme kulturore që boton Qendra e Studime shqiptare “Ernest Koliqi”. Gjithashtu, janë dhuruar edhe tituj të tjerë nga kolona e botimeve të Bibliotekës Françeskane “Át Gjergj Fishta”.

Prapa