Shala dhe Musliu bisedojnë për bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Luginës së Preshevës

03.05.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Luginës së Preshevës, veçanërisht rreth implementimit të mëtutjeshëm të Memorandumit që MKRS-ja ka nënshkruar me KKSH-në.

Në këtë takim, ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Musliu u bisedua për aktivitete konkrete që institucionet e kulturës së Kosovës do të realizojnë në Luginë të Preshevës, siç janë performimi i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, bashkëpunimi në fushën e librit, shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Luginë, përkrahja në fushën e rinisë dhe të sportit.

Kryetari i KKSH-së, Januz Musliu, e çmoi ndihmën që i është dhënë Luginës së Preshevës për pasurimin e fondit të librave në dy bibliotekave publike, ndihmën për ekspozitën etnografike dhe aktivitet e tjera në fushën e kulturës.

Prapa