Shënohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit

21.04.2017

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, më 21 prill, ka organizuar veprimtari kulturore për Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, ditë kjo e cila festohet më 23 prill.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, shkrimtari Adem Gashi, Agim Vatovci, presidenti i Shoqatës së Personave me Nevoja të Veçanta, përfaqësues të kulturës, shkrimtarë, mësues, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe të shkollave fillore.

Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari, në fjalën e saj për Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, theksoi nevojën e hartimit dhe të implementimit të politikave të qarta dhe afatgjata për librin nga qeverisja lokale e qendrore si dhe nga institucionet që merren me arsim, shkencë, dhe kulturë.

Në këtë aktivitet kulturor, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, kërkoi angazhimin e institucioneve dhe medieve në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e librit. Duke iu drejtuar të pranishmëve, sidomos nxënësve dhe të rinjve, Demaku foli për vlerën e librit, motivimin e leximit, si dhe për letërsinë.

Në emër të shkrimtarëve, Adem Gashi, foli për lidhjen e librit me qytetërimin, duke përmendur diturinë, artin, kulturën, moralin dhe religjionin, si përbërës të librit.

Në këtë veprimtari - Ajete Zogaj, Rudina Tahiraj, Rozafa Tahiraj dhe Gresë Maliqi, interpretuan disa pjesë nga krijimtaria letrare shqipe e Arif Demollit dhe e Dritëro Agollit, si dhe nga letërsia e huaj - nga vepra letrare e Uilliam Shekspirit dhe e Miguel de Servantesit.

Veprimtaria për Ditën Botërore të Librit është mbyllur me dhënien e librave dhuratë për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, për lexuesit e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, si dhe për studentë të Universitetit të Prishtinës – lexues në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Prapa