Hoti në Mal të Zi, takon ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave

10.04.2017

Përgjatë vizitës zyrtare dy ditore në Mal të Zi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, sot pati një takim me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, z. Mehmed Zenka (Unioni Demokratik Shqiptar), i cili ishte i shoqëruar nga zëvendësministri Leon Gjoka (PDS).


Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë të përzemërt ku u bisedua për hapësirën që zënë liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe pakicat kombëtare për të dyja vendet, si vlera të çmuara mbi të cilat ndërtohet edhe bashkëpunimi ynë strategjik për të ardhmen.


Ministri, Mehmed Zenka, e shpalosi qëndrimin e ministrisë që ai përfaqëson në qeverinë malazeze, si dhe rolin që kanë pakicat dhe të drejtat e njeriut në Malin e Zi. Ai u përqendrua me theks të veçantë në avancimin e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve në Malin e Zi, në të gjitha rrafshet institucionale, në të gjithë sektorët privat e publik. Shprehu qëndrimin e palëkundur se vetëm në disa muaj të kësaj qeverisje, është bërë më shumë për shqiptarët e Malit të Zi se sa vite më parë.


Zëvendësministri Hoti e falënderoi ministrin Zenka për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë, në mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, rinisë e të sportit.


Ai e njoftoi ministrin Zenka se dikasteri që ai përfaqëson është i gatshëm të rrisë bashkëpunimin me qeverinë e Malit të Zi, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes Bilaterale të Bashkëpunimit kulturor ndërmjet MKRS-së dhe Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, e cila pritet të ndodhë shumë shpejt.


Në anën tjetër, ministri Zenka e njoftoi zëvendësministrin Hoti për punën që është bërë në ndryshimin e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave në Mal të Zi, ku parashihet edhe zyrtarizimi i gjuhës së pakicave në të gjitha komunat ku ato përbëjnë 5% të popullsisë. Kjo përqindje është marrë parasysh veçmas për shqiptarët, sepse një kuotë e tillë e përqindjes i favorizon ekskluzivisht ata.


Sipas këtij projektligji i cili ka kaluar nga qeveria për në parlament, gjuha shqipe, përveç në Ulqin, Tuz dhe Plavë, pritet të bëhet gjuhë zyrtare edhe në Rozhajë e Tivar. Në shenjë respekti e falënderimi për avancimin e çështjes së pakicave kombëtare në Malin e Zi, Ministri Zenka ia dhuroi zëvendësministrit Hoti një kopje të projektligjit të miratuar në qeverinë malazeze për pakicat.


Përgjatë takimit, zëvendësministri Hoti foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit edhe në fushat tjera të arsimit, të turizmit dhe investime me peshë kulturore, për çka ministri Zenka kërkoi që investitorët e Kosovës të jenë më shumë të pranishëm në pjesët bregdetare, si dhe në thellësinë e Malësisë ku ka shumë mundësi për turizëm kulturor dhe turizëm në përgjithësi.


Zëvendësministri Hoti bëri një vështrim edhe për avancimin e komunitetit malazez në Kosovë dhe e njoftoi ministrin Zenka se Qeveria e Kosovë e ka miratuar Strategjinë pesëvjeçare për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez, si dhe tash është duke u punuar në planin për implementim ku do të ndihmohet ky komunitet në të gjitha fushat, deri në mbështetjen financiare prej ministrive përkatëse për punësim dhe prosperitet të komunitetit në fjalë.


 

Prapa