Ministri Shala takoi gjyqtarët që debutuan në arenën ndërkombëtare

29.03.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në takim gjyqtarët Genc Nuza, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, pas debutimit të tyre në ndeshje ndërkombëtare të FIFA-s. Të pranishëm në takim ishin edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani.

Ministri Shala i përgëzoi gjyqtarët për prezantimin e tyre në arenën ndërkombëtare të sportit më të popullarizuar në Botë dhe u shpreh se përpos që kanë treguar profesionalizëm dhe autoritet në ndarjen e drejtësisë, kanë përfaqësuar Federatën dhe Kosovën për herë të parë zyrtarisht në një ndeshje ndërkombëtare edhe me gjyqtarë, dhe ky është edhe një sukses tjetër i sportit tonë.

Ndërkaq, gjyqtari kryesor i cili ka ndarë drejtësinë në ndeshjen miqësore Turqi – Moldavi, Genc Nuza, tregoi për ndjenjat dhe përjetimin e tij në përvojën e re, me ç’rast u shpreh sa ka marrë përgëzime dhe komente të mira për debutimin historik që tre gjyqtarë nga Kosova për herë të parë referojnë një ndeshje ndërkombëtare në nivel të kombëtareve.

Prapa