Ministri Kujtim Shala dha çmimet vjetore për letërsi

17.03.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në një ceremoni të organizuar sot në kabinetin e  tij, dha Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për letërsi.

Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” , iu dha Eqrem Bashes, i cili shoqërohet me shpërblim në vlerë monetare prej 5,000 euro.

Çmimi për veprën letrare më të mirë kritikë letrare, eseistikë “Ibrahim Rugova”, iu dha Gëzim Aliut për studimin “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963 – 1990, retorika e tekstit dhe narracionit”.

Çmimi për veprën letrare më të mirë për fëmijë “Vehbi Kikaj”, iu dha autores Fatmire Duraku për prozën “Dea dhe kërriçi i vetmuar”.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, iu dha shkrimtares Majlinda Bregasi për romanin “Ikje”.

Ndërkaq, çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani” për përkthimin e romanit “Të vdesësh në pranverë” të Ralf Rothman, iu dha Arben Atashit.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, iu dha Demë Topallit për veprën “Sytë që dinë me pa”.

Secili nga çmimet do të shpërblen me vlerë monetare nga 2,500 euro.

Juria Profesionale është e përbërë nga Anton Berishaj – kryetar, Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Sylaj dhe Agron Y. Gashi – anëtarë.
 

Prapa

KOSOVO IN UNESCO