Kryeministri Mustafa vizitoi vendin ku do të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar

14.03.2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vizituan vendin ku pritet të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa u shpreh i lumtur me punën që po bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Federata e Futbollit të Kosovës në përgatitjen e stadiumeve në përputhje me të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s, në të cilat do të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare.

Duke parë nga afër vendin në të cilin do të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, kryeministri Mustafa shpreson se me ndërtimin e këtyre objekteve sportive do të konkurrohet jo vetëm në regjion, por do të konkurrohet dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

“Do të përplotësojmë të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s. Si Qeveri më vjen mirë që kemi arritur që të përmbyllim disa investime në disa fusha dhe që kemi krijuar hapësirë tani që të merremi me sportin. Edhe organizatat sportive, edhe qytetarët, por edhe rinia e meritojnë që ne t’i japim përparësi themelore kësaj fushe dhe ne do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mjete qoftë nga buxheti, qoftë nga organizatat e tjera dhe vendet e tjera. Ka vija të tilla financiare të cilat ne i kemi hulumtuar deri më tani dhe mund t’i shfrytëzojmë që të ndërtojmë këtu stadiumin i cili do të plotësojë të gjitha kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, që të ndërtojmë edhe stadiume të tjera shtesë ose përcjellëse që do të jenë ndërlidhëse me këtë, që të përkrahim edhe dislokimin e Fakulteti të Edukatës Fizike në këtë pjesë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se në bazë të iniciativës së ministrit Shala, do të bashkëpunohet me Komunën e Obiliqit, që nëse nevojitet sipërfaqe më e madhe në mënyrë që të gjitha objektet sportive të shtrihen në atë pjesë të Prishtinës.

“Të krijojmë një hapësirë që meriton të ketë Kosova me këtë infrastrukturë të dobishme dhe të pritur nga qytetarët tanë”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar ministrinë Shala dhe kryetarin e Federatës për punën e bërë dhe duke i siguruar se Qeveria do të bëjë maksimumin për përkrahje, në mënyrë që ky vend për disa vite do t’i jep një pamje të mrekullueshme Prishtinës dhe tërë Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se po punohet intensivisht që të përmirësohet gjendja e objekteve dhe infrastrukturës sportive, meqë është trashëguar një gjendje e patolerueshme.

“Gjatë këtyre dy viteve ka pasur një përparim të dukshëm, por gjendja paraprake këtë e bënë të pamjaftueshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të rrisim investimet. Tani jemi të interesuar që investimet në Stadiumin e qytetit të Prishtinës dhe në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” të shkojnë sipas dinamikës së paraparë, në mënyrë që ne të arrijmë të finalizojmë ato punimet dhe klubet tona dhe kombëtarja jonë të mund të luaj ndeshjet ashtu siç janë planifikuar brenda Kosovës”, tha ministri.

Ministri Shala më tej bëri të ditur se për këto objekte ka buxhet të mjaftueshëm, derisa për Stadiumin Olimpik një ndihmë do të jep edhe Federata me fondet e saj dhe me ndihmën që vjen nga UEFA dhe se janë të gatshëm që brenda dy muaj e gjysmë të investojnë rreth 1 milionë e 600 mijë euro, në mënyrë që stadiumi të jetë gati për klubet.

“Po ashtu, do të kujdesemi që punimet të jenë cilësore, të mos jenë sikur të fazës së parë. Do të testojmë punimet shkallë-shkallë dhe do të ftojmë ekspertët e UEFA-s dhe të FIFA-s, të infrastrukturës, që të mbikëqyrin secilën fazë që ne pasi të bëjmë investime të kemi të garantuar edhe licencimin e objekteve”, tha ministri Shala.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e ka njoftuar kryeministrin për punën që po bëhet në ndërtimin e dy stadiumeve, atë “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe ndërtimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë.

“Bashkë me ministrin kemi shikuar të gjitha mundësitë që të përgatitet stadiumi në Mitrovicë dhe klubet të mos e kenë fatin e vitit të kaluar dhe të mos e prezantojnë Kosovën”, tha kryetari Vokrri.

Meqë është një kohë e shkurtër, Vokrri shpreson se do të bëhet maksimumi që brenda dy muajve të përgatitet stadiumi “Adem Jashari” për klubet të cilat fitojnë të drejtën të luajnë në garat e UEFA-s.

Prapa