Kosova kategorizon sportet

09.02.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar rregulloren për kategorizimin e sporteve. Ky dokument normativ përcakton rregullat, kriteret dhe procedurat për kategorizimin e sporteve dhe sportistëve në Republikën e Kosovës të cilat do të bazohen në cilësi dhe rezultate të arritura në gara ndërkombëtare.

Në bazë të rregullores, sportet kategorizohen në katër grupe, të ndara me shkronja “A” deri në “D”, dhe në këto grupe përfshihen federatat në bazë të grumbullimit të pikëve. Grupi “A”, ngërthen në vete federata që kanë më shumë se 70 pikë, grupi “B”, 50 – 69,99, pikë, në “C” hyjnë federatat që arrijnë të grumbullojnë 30 – 49,99 pikë ndërkaq grupi i fundit “D”, i përfshin federatat të cilat kanë grumbulluar deri në 29,99 pikë.

Pikët e fituara, bazuar në rregullore, vlerësohen në anëtarësimin e federatave kombëtare në federatat përkatëse ndërkombëtare të njohura në Sportaccord, sipas pjesëmarrjes në kampionate evropiane e botërore, në bazë të rezultateve të arritura në garat ndërkombëtare në Lojërat Olimpike, në Kampionatet përkatëse Botërore e Evropiane, në rezultatet e arritura nga sportistët e federatave të caktuara, në medaljet e fituara nga sportistët e federatave kombëtare. Kriter tjetër për grumbullimin e pikëve është edhe ai i masivitetit, se sa një federatë arrin të ketë klube të regjistruara, numrin e sportistëve të regjistruar, duke pasur parasysh edhe gjithëpërfshirjen, aspektin gjinor, pesonat me aftësi të kufizuara dhe kriterin e aftësisë që një federatë ka për ngritjen e kapaciteteve.

Rregullorja e miratuar tashmë, përcakton edhe procedurat për kategorizim, formularin, aplikimin, dokumentacionin, afatet, të drejtat për ankesë e financimin sipas kategorizimit.

Ministri Shala u shpreh se ky akt nënligjor mundëson lehtësimin e menaxhimit të sportit në vend dhe shmang paqartësitë eventuale për federatat e sportit. Njëherësh, procesi i kategorizimit të sporteve dhe sportistëve, i rregulluar përmes kësaj Rregulloreje, ka për qëllim të nxisë bordet ekzekutive të federatave kombëtare të angazhohen në marrjen e veprimeve adekuate duke ndikuar në rritjen e cilësisë së sportistëve dhe masivizimin e sportit.

Rregulloren mund ta shkarkoni këtu.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO