Hoti në Samitin e Diasporës Shqiptare, kërkon themelimin e një ministrie të përbashkët të kulturës

20.11.2016

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti mori pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, të organizuar nga kryeministria e Shqipërisë.

 

Duke folur për kulturën, në panelin e organizuar në kuadër të samitit, zëvendësministri Hoti tha se gjatë kohës sa ishim të ndarë e të pushtuar, kultura ishte trungu ynë në kuptimin e plotë të fjalës në trojet shqiptare e në diasporë.

 

Hoti hodhi idenë që të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë të marrin nismën për themelimin e një ministrie të përbashkët të kulturës.

 

“Ne mund të kemi një trung institucional me aq degë sa është e nevojshme brenda të dyja republikave shqiptare, fjala vjen, në Tiranë e Prishtinë, si dhe duhet të kemi edhe degëzime me trojet shqiptare jashtë hapësirave të të dyja republikave, si dhe në diasporë e në Turqi”.

 

Hoti tha se trungu ynë kulturor nuk nënkupton bashkëpunim bilateral sepse kultura nuk mund të ndahet si politike, ajo është vlerë e një trungu dhe u takon të gjithë shqiptarëve me ose pa kufij. 

 

“Në këtë drejtim nuk mund të kuptoj pse duhet t’i kemi dy ministri të kulturës e lëre më dy akademi apo institute tjera me karakter kulturor”, tha Hoti.

 

Në këtë pikë, zëvendësministri potencoi se kultura do të kishte hapësirën e plotë për të gjitha komunitetet jo shumicë, e të cilat janë pasuri e madhe e republikave shqiptare.

 

Sipas tij, liria e plotë e komuniteteve jo shumicë në kuadër të shteteve shqiptare është kuptimi më thelbësor i lirisë në hapësirat evropiane e nesër do të jetë sfidë për vetë Bashkimin Evropian i cili në kuptimin e legjislativit është larg standardeve të tilla, që i kemi ofruar në Kosovë.

 

Tutje, duke folur për kulturën shqiptare, zëvendësministri i MKRS-së tha se ajo në të vërtetë është njëra prej fundameteve boshtore mbi të cilat qëndron sot Bashkimi Evropian si formë e qytetërimit.

 

“Ne nuk e dëshirojmë integrimin evropian për të qenë të tillë. Ne jemi vlera europiane sot e këtë ditë më shumë sesa të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian’.

 

Ndryshe, samiti i ardhshëm i diasporës shqiptare do të mbahet si organizim i institucioneve të Kosovës.





 

Prapa