Zëvendësministri Hoti zhvilloi një takim të lartë në qeverinë e Gjermanisë

21.10.2016

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ka zhvilluar takime të larta në Qeverinë gjermane.

 

Zëvendësministri është takuar me Matthias Lüttenberg,  zëvendësshef për Evropën Qendrore, Juglindore dhe Lindore, Kaukazin Jugor e Azinë Qendrore, në Kancelarinë Gjermane, me të cilin bisedoi për çështjen e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Gjermanisë në fushën e kulturës, si dhe për mundësinë e të rinjve për punësim.

 

U bisedua edhe për aspektin e vlerave në kuadër të trashëgimisë kulturore si dhe mundësinë e rritjes së turizmit përmes pasurisë së trashëgimisë kulturore e arkeologjike të vendit tonë.

 

Veçanërisht, këtu u bisedua për Ulpianën, muzeun e radhës në Kishnicë si dhe ndriçimin e kishave paleokristiane në Kosovë, si një prej vlerave më të çmueshme të para të krishterimit në trevat e Dardanisë Qendrore.

 

Gjatë takimit, është folur edhe për mundësinë e hapjes së shkollave profesionale në gjuhën gjermane në Kosovë, si dhe për mundësinë e projekteve të përbashkëta për Diasporën shqiptare, e cila do të kishte mundësi për të investuar në Kosovë.

 

Temë tjetër diskutimi mes zëvendësministrit Hoti dhe  përfaqësuesit të Qeverisë gjermane ishte edhe demarkacioni dhe liria e lëvizjes.

 

Me theks të veçantë është biseduar edhe për rolin e medieve, vështirësive financiare dhe pavarësisë së tyre.

 

U shqyrtua mundësia e projekteve të përbashkëta në drejtimin e mbështetjes së medieve dhe rolit të tyre të pazëvendësueshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

 

Lüttenberg u shpreh shumë i gëzuar që anëtarësimi i Kosovës në institucionet evropiane e botërore sportive ka dhënë rezultate të mira duke e përmendur edhe pjesëmarrjen e Kosovës në lojërat olimpike, medaljet, si dhe fillimin brilant të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

 

Ai foli edhe për kapitullin e 35-të Serbisë në raport me Kosovën si dhe për qëndrimin e paluajtshëm të kancelares Merkel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

 

Zëvendësministri Hoti  pati edhe një drekë pune me Dr. Herlind Gundelach, deputete e Unionit Kristian-Demokratik në Bundestagun gjerman me të cilën biseduan një varg çështjesh me rëndësi në aspektin e bashkëpunimit dhe forcimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes të dyja shteteve.


 

Prapa