Dialogu dhe UNESCO, synim i përbashkët i Kosovës dhe Britanisë së Madhe

16.08.2016

Zëvendësministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti priti sot në takim sekretarin politik të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Robin Budd. 


Zëvendësministri Hoti dhe z. Budd biseduan për mundësinë e bashkëpunimit nëpërmjet projekteve konkrete si në kulturë, sport, trashëgimi e fusha të tjera.

Zëvendësministri kërkoi një angazhim më të madh të Britanisë në drejtimin e avancimit të proceseve të gjithanshme në lidhje me kishat paleokristiane në Kosovë, që janë me dhjetëra në vendin tonë, një vlerë kjo shumë e çmuar e trashëgimisë dhe qytetërimit evropian.


Hoti dhe Budd, me theks të veçantë biseduan për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO ku u dakorduan që të dyja shtetet të koordinojnë hapat që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare.


Zëvendësministri theksoi rëndësinë që Britania e Madhe, si një aleat i fuqishëm i Kosovës, ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.


Edhe z. Budd shprehi gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje në nisma dhe projekte të përbashkëta sidomos garantoi përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. 


Në takim u diskutua edhe mundësia e formimit të një grupi punues të përbërë nga MPJ, MKRS dhe pesëshja evropiane, sa i përket çështjes së UNESCO-s.


Veç tjerash, Hoti dhe Budd folën edhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Zëvendësministri theksoi se pas rezultatit të Referendumit që u mbajt në Britani të Madhe, është e nevojshme një vëmendje edhe më e madhe ndaj dialogut.


Hoti shprehi mendimin se për të pasur sukses edhe në të ardhmen, dialogu duhet patjetër ta ketë peshën parësore të Britanisë së Madhe e cila e ka magjinë për suksese të tilla. Ai theksoi se dialogu duhet ta ketë patjetër peshën e vet edhe në shtrirjen Uashington, Bruksel dhe Londër.


Zëvendësministri potencoi se garantimi i suksesit të deritashëm ka qenë kontribut i të gjithëve me krye me SHBA-të dhe veçmas me Britaninë e Madhe.


Kurse, zoti Budd theksoi se dialogu ndihmon edhe në çështjen e UNESCO-s, si dhe foli për mundësitë e shumta të bashkëpunimit në sport, me rinin e aspekte tjera me interes të shumanshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës.

 

 

Prapa