Biografia

Rexhep Hoti

Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Rexhep Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 12 Janar 1964. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Kosovës për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ndërsa magjistraturën në shkencat filologjike po në këtë universitet, me temën «Kombi dhe shteti në krijimtarinë e Kadaresë». Nga viti 2013 është duke ndjekur studimet e doktoraturës në Departamentin e Shkencave Politike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.

Z. Hoti ka një biografi të pasur me angazhimet e tij në fushën e medieve, të studimeve, të artit dhe të publicistikës. Si student ka nxjerrë gazetën e parë universitare të shtypur, me titull «Fundamenti» në Fakultetin e SHMN-së në Prishtinë.

Z. Hoti në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar me Ukshin Hotin udhëtojnë në Lubjanë, ku fillimisht ishte Lektor i revistës së njohur «Alternativa» e më pas edhe redaktor i revistës «Demokracia Autentike», ku njëherësh ishte edhe bashkëthemelues me Ukshin Hotin.

Z. Hoti ka themeluar edhe gazetën e përditshme «Infopress», të përditshmen «Tribuna shqiptare», të përditshmen «Sport», revistën «IPmagazinë» etj.

Z. Hoti ka qenë edhe këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi, ka hapur zyrën e parë të Qeverisë së Kosovës në UNMIK dhe ishte njëri prej hartuesve të dokumentit «Standardet për Kosovën», hartues i dokumentit «Strategjia e Bashkëpunimit Qeveri-UNMIK», koordinator i Zyrës Ndërlidhëse Qeveri-UNMIK, deputet i Kuvendit të Kosovës, Drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Zyra Rajonale Kosovë, etj.

Z. Hoti është autor i disa librave, i shumë punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në mjaft Seminare dhe Konferenca Ndërkombëtare. Librat e tij më të njohur janë: «Visore të shthurura», «Nata e Kosovës», «Tempulli i fjalës», «Kosova përballë vetvetes», «Pesha e konsensusit», «Përzierje e trishtë», «Drama dhe gjenitë e Kosovës», «Flirti civil dhe ambasadori» etj.

E zotëron gjuhën gjermane, angleze, serbo-kroate.

Është i martuar, ka tre fëmijë, jeton në Prishtinë.

E-mail: [email protected]
_________________________________________________________

Mimoza Kqiku
Asistente e zv. Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Tel: + 381 38 200 22 057
E-mail: [email protected]

KOSOVO IN UNESCO